Sunday, August 9, 2009

A është Muhammedi autor i Kur'anit???





Shkruan: Hafsa XHEMAILI




Kur'ani është revelatë e Allahut drejtuar njerëzimit nëpërmjet krijesës më të zgjedhur Muhammedit alejhi-selam. Është porosia e fundit e Allahut dhe mrekullia e përjetshme për të Dërguarin e Fundit. Është kompletues dhe vërtetues i shpalljeve të mëparshme.




"O ithtarë të Librit! Juve ju erdhi i Dërguari ynë i cili ju shpjegon gjëra nga ato që i keni fshehur ju prej Librave ( Tevratit dhe Inxhilit ) dhe ju fol shumë. Juve ju erdhi prej Allahut dritë dhe Libër i qartë " (El- Maide / 15)




Ky Libër përfshinë ligje dhe rregulla universale, duke i dhënë gjithnjë përparësi diturisë, drejtësisë, mëshirës. Me fjalë tjera në Kur'an strukturohet sistemi i jetës islame.
Që nga koha e shpalljes së këtij libri qiellor e deri tani, Me miliona njerëz, të dashuruar me të, e kanë ulur kokën mbi prehrin e tij dhe kanë korrur mirësitë nga dituria e tij. Përveç këtyre miliona njerëzve, janë edhe me mijëra njerëz të tjerë, të cilët duke marrë dije me frymëzim nga ky Libër, kanë bërë shërbime shumë të vlefshme në fusha të ndryshme të shkencës, veçanërisht në filozofi, dhe teologji. (1)


Burimi i këtij Libri, sikur edhe Librat tjerë të mëparshëm është All-llahu xh.sh. edhe përkundër kësaj vazhdimisht është tentuar që të falsifikohet dhe t'i humbet origjinaliteti duke e fyer dhe duke ia mveshur Pejgamberit të fundit autorësinë e Kur'anit. Mirëpo Allahu është betuar se do ta mbrojë këtë Libër nga falsifikimi,


"Ne e zbritëm Kur'anin, dhe Ne do ta ruajmë atë " (15 : 9)


Kur'ani, vepër jashtë kompetencave të forces njerëzore. Libri i Fundit qiellor i zbritur për të mirrën e njerëzimit është pikërisht Kur'ani Famëlartë. Ky Libër është plotësim i porosive të mëparshme, i kompletuar me rregulla dhe ligje të nevojshme për programimin e jetës së njeriut, dhe njëkohësisht është mrekullia e përjtshme për të Dërguarin e All'llahut. Kur'ani është një univers i pafund dhe një burrim frymëzimi e fisnikërimi i pashtershëm për mendjen dhe shpirtin e njeriut. I Lartësuari cdo gjë në Librin e Tij e ka thënë në mënyrë impozante dhe me fjalë të mrekullueshme. Kur'ani ndryshon nga mrekullitë e pejgamberëve të mëparshëm, ngase mrekullitë e mëparshme ishin të përkohshme, dhe sikur ato mrekulli të mos i kishte përmend Kur'ani, do të dyshohej se a kanë ekzistuar ndonjëher. Mrekullinë e përkohshme njeriu i asaj kohe e përjetonte, e shihte dhe i besonte, si p.sh All-llahu bëri që deti të cahet për Musain a.s e pastaj të kthehet në gjendjen e mëparshme. Zjarri hodhi menjëanë vetinë e tij djegëse, pastaj e vazhdoi vetinë e tij të të djegurit, kur All-llahu i tha:




"Ne i thamë: O zjarr, bëhu i ftohtë dhe shpëtim për Ibrahimin" ! (21 : 69)




Ndërsa Mrekullia e Pejgamberit të fundit është "Fjala e All-llahut", për të cilën fjalë i Madhërishmi u shpreh se do të kujdeset për mbrojtjen nga falsifikimi, harrimi e deformimi sic kishin vepruar popujt e mëmarshëm.


" Ne, me të vërtetë, e kemi zbritur Kur'anin, dhe Ne, me të vërtetë do ta ruajmë atë ". (15:9)Fjala Kur'an rrjedh prej fjalës "kare'e" që do të thotë: lexim, recitim, sqarim.Krejt këto terme përmenden brenda në mus'haf në shumë ajete Kur'anore. Poashtu mus'hafin e gjejmë të emëruar me shum emra tjerë të bukur, si: dritë, urtësi, këshillë, udhëzues, rrëfyes, shërues, argumentues, vërtetues, shpirt etj.


Urtësi:


" Kjo është nga urtësia që Zoti yt të ka zbritur ty." (isra: 39)


Rrëfim:


"Ne me të shpallur të këtij Kur'ani pot ë rrëfejmë ty ( Muhammed ) më të bukurin rrëfim, edhe para tij ishe nga të painformuarit" (jusuf / 3)


Këshillë:


"I Lartësuar është Ai i cili zbriti Furkanin rrobit të Tij ( Muhammedit ) që të jetë këshillë për botën" (furkan / 1)


Udhëzim:


"Është e vërtetë se ky Kur'an udhëzon për atë rrugë që është më se e vërteta, e besimtarët që bëjnë vepra të mira i përgëzon se ata padyshim do të kenë shpërblim të madh" (Isra / 9)


Dritë:


"Juve ju erdhi nga Allahu dritë, dhe libër I qartë. All-llahu e vë me atë ( me Kur'anin ) në rrugët e shpëtimit atë që ndjek kënaqësitë e Tij, dhe me ndihmën e Tij I nxjerr ata prej errësirave në dritë" (el- Maide: 15/16)


Shërues:


"Thuaj: ai është për besimtarët udhëzues e shërues" (Fussilet / 44) 4Shpirt: "Po kështu me urdhërin Tonë Ne të shpallëm edhe ty shpirtin ( Kur'anin ). Ti nuk e ke ditur cka është libri, as c'është besimi.." (Esh-shuara: 52)


Shpjegues, vërtetues:


"O ithtarët e librit! Juve ju erdhi i D ërguari ynë, i cili ju shpjegon gjëra nga ato që i keni fshehur ju prej librave ( tewratit dhe Ungjillit ), dhe ju fal shumë. Juve ju erdhi prej Allahut dritë, dhe libër i qartë" (El-Maide / 15)




Ai është Libri i vetëm nga Librat e Zotit që është ruajtur me kujdes të madh dhe amanet të besueshëm, nga cfardo lloj shtrembërimi apo devijimi. Është një gurrë e pashterur urtësish e mrekullish. Qysh prej 14 shekujsh, sa më shumë që kalon koha, ashtu sikurse nga fundi i detit që nxirren margaritarë të fshehur të panumërt, po ashtu zbulohen e nxirren në dritë mrekullitë dhe misteret e tij, që s'kanë të mbaruar. Kështu do të vazhdojë derisa të ketë jetë mbi tokë. (2)



Gjendja e arabëve para shpalljes.




Gadishulli arabik shtrihet në jugperendim të kontinentit të Azisë. Pjesa më e madhe e këtij vendi është shkretëtirë, ndërsa një pjesë e vogël është tokë pjellore. Me anë të rrugëve detare dhe tokësore lidhet me kontinentet e tjera si Evropën dhe Afrikën ku edhe paraqitet si qendër tregtare dhe fetare. Si tregtare dhe fetare??? Mosmundësia për kultivimin e kulturave bujqësore për shkak të tokës jopjellore, i detyroi banorët e vendit të merren me tregti, në anën tjetër ekzistimi i shtëpisë së shenjtë-Ka'bes mundësoi që arabët të mos i humbin lidhjet e tyre fetare përshkak të vizitave që bëheshin për cdo vit. Me fjalë të tjera Arabia ishte epiqendra fetare e kulturore. Si krahinë më karakteristike e Arabisë konsiderohet Hixhazi, ku përfshihen: Mekeja, Medineja dhe Taifi. Këto tri vende paraqesin trekëndshin e lidhjeve të ngushta dhe intereseve të përbashkëta. Arabët janë prej popujve të vjetër që lanë gjurmë të thella në histori. Populli I tyre nuk konsiderohet vetëm si objekt, por edhe si hartues të historisë për shkak të dërgimit të Muhammedit alejhi-selam në mesin e tyre. Pikërisht nderi më i madh që kanë pasur arabët në historinë e ekzistimit të tyre deri në ditën e fundit është dërgimi i vulës së gjithë Pejgamberëve, Muhammedin alejhi-selam.



Jeta fetare e arabëve para shpalljes së fundit.




Para arabëve Mekeja ishte e banuar nga Ismaili alejhi-selam, pasardhësit e tij, dhe fisit xhuhrum. Të gjithë këto ishin pjestarë të fesë së Ibrahimit alejhi-selam, apo fesë së tij të pastër. Domethënë, besuan në njëshmërinë e All-llahut, duke mos i përshkruar Atij shok. Këtë besim të pastër e trashëguan gjenerat pas gjenerate, mirëpo, me kalimin e kohës, me ndrrimin e gjeneratave dhe me ndikimin e vendeve tjera ku mbretëronte politeizmi ( besimi në shumë Zotra ) ndikuan në besimin e pastër të arabëve. Kështu depërtimi i idhujve në mesin e arabëve është i lidhur me udhëtimet e arabëve në Sham. Udhëtimet e para i bënte një njeri autoritativ dhe fetar, Amër ibn Luhaj i fisit El'Huza'a. Tregohet se Amri u nis prej mekkes për në Sham. Atje gjeti një popull i cili i adhuronte idhujt. Amri gjatë takimeve me to i nxitur nga djalli filloi të parashtroi pyetje: "Ç'janë këta idhuj?" Ata thanë: "Këta janë idhuj që ne i adhurojmë, u kërkojmë që të bjerë shi dhe na lëshojnë shi prej qielli, kërkojmë prej tyre ndihmë dhe na ndihmojnë". Atëherë Amri i kënaqur me veprat e tyre tha: "Po a nuk ma jepni edhe mua një idhull dhe t'ua dërgoj të mive atje në Arabi e ta adhurojnë?" Ata me plot dëshirë ia dhanë Amrit një idhull i cili thirrej Hubel. Amri u nis për në Mekke dhe me të arritur i thirri mekkasit që ta adhurojnë Hubelin. Pasiqë Amri ishte i pari i tyre, ata nuk dyshonin në mencurinë, vetëdijen fetare dhe autoritetin e tij të lartë, andaj pranuan me plotbesim ti përgjigjen thirjes së Amrit. Ky qe shkaku i depërtimit të politeizmit në mesi ne arabëve. (3)


Për vërtetësinë e rastit të lartëpërmendur flet hadithi i Muhammedit alejhi-selam. Ibën Is'haku në Siren e tij transmeton prej Muhamed ibën Ibrahim Et-Tejmiut, e ky prej Ebu Salihut I cili thotë: " E kam dëgjuar Pejgamberin alejhi-selam duke i thënë Ekthem ibën El Xhunit: " E pashë Amër ibën Luhajin duke I hequr zorrët e tij nëpër zjarr, pasi ai është i pari i cili e ndërroi fenë e Ismailit alejhi-selam, ndërtoi idhuj, e ia saiben, behiren, dhe e bashkoi vesilen". 17



Edhe Kur'ani famëlartë në disa ajete flet për politeizmin në mesin e arabëve:


"Ata pos Allahut adhurojnë cdo gjë që nuk u bën dëm as dobi, e thonë: Këta janë ndërmjetësuesit tanë te Allahu! Thuaj: A po e informoni Allahun me dicka që që Ai nuk e di se c'ka në qiej e në tokë? E pastër është madhëria e Tij nga ajo që i shoqërojnë!" (Junus : 18)


Kjo bindje u trashëgua brez pas brezi, dhe bëri trurin e politeistit që të mos e kuptoj dhe besoi përnjëherësh relacionin krijues krijes, apo relacionin All-llah dhe Pejgamber. Në mesin e këtyre bindjeve u paraqit drita e njerëzisë, ai që fshiu besimin politeist dhe rrënjosi monoteizmin në zemrat që kuptonin. Ai që gradualisht me shpalljen hyjnore arriti atë që e vërteton Pejgamberinë e tij. Njëri nga poetët më të mëdhenj të Francës, për madhështinë e Muhammedit alejhi-selam në " Historia de la Turqiue " shkruan: " Nëse madhështia e qëllimit, thjeshtësia e mendimit dhe rezultatet e arritura, janë tri kritere të gjenialitetit njerëzor, kush mund të marrë guximin të krahasojë, cilindo njeri të madh, në historinë njerëzore me Muhammedin ( sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ). (4)




I Dërguari I Allahut u lind ne mesin e arabëve të pashkolluar, të deformuar për nga ana e moralit. Vera pihej në rrugët e Mekkes në vend të ujit, dëshproheshin shumë kur u lindte vajzë, i varrosnin të gjalla vajzat foshnje. Plackitnin udhëtarët dhe të pafuqishmit, por në mesin e tyre kishte edhe të atillë që ishin trima e bujarë. Sidomos kishte arab të cilët dalloheshin për nga oratoria dhe përpilimi i vargjeve - poezive.


Shpesh hasim pohimin e arabëve se Pejgamberi është dërguar në mesin e tyre për faktin se ata ishin më të përparuar në cdo fushë, se arabët ishin ata që më së mirti do e kuptonin, pranonin dhe do e bartinin mesazhin e të Dërguarit të Allahut, dhe Allahu me të shpallur Muhammedin si Pejgamber në mesin e tyre donte t'ua shtoj gradat ende më tepër. Mirëpo ka historian dhe mendimtarë që nuk pajtohen komplet me atë cka thonë arabët. Disa historian duke studiuar dhe analizuar gjendjen e arabëve para islamit, erdhën në përfundim se ata ishin një popull me kulture shumë të ulët, ishin shumë larg shkencës, dhe mu për këtë periudha para islamit ndryshe permendet si "Periudha e Xhahilijetit " apo "periudha e injorancës". Duke e hulumtuar edhe gjendjen e popujve të mëparshëm ku është dërguar ndonjë Pejgamber, si p.sh dërgimi i Lutit alejhi-selam në mesin e të shfrenuarve më saktësisht tek populli sedum, apo Hudi a.s në mesin e popullit "Ad" ose Salihu në popullin " Themud ", erdhën në përfundim se Zoti nuk ka dërguar mesazhin e Tij përshkak të gjendjes së tyre të mirë, apo përshkak të përparimit të tyre, por për të vetmin fakt se ata kishin nevoj për udhëzim, për përmirsim të besimit dhe gjendjes në tërësi.




Por në anën tjetër, nuk mohohet fakti se ambienti i atij vendi ku u shpall vula e Pejgamberisë ishte i atillë që meritonte të shkel këmba e një Pejgamberi. Shkretëtira me gjithë hijeshinë e saj saherë dëshmonte për njëshmërinë e Allahut.


Muhamed Asad ( Leopold Weiss ) Austro Hungarez i cili pranoi islamin kur ishte vetëm 26 vjecar, në një intervistë të incizuar në Spanjë në vitin 1988 shprehet:


" Udhëtimi, ecja nëpër shkretëtirë të bën të ndjehesh më afër Zotit, kështu fillova të kuptoj se të gjithë besimet monoteiste kanë filluar mu në vendet me shkretëtirë. Ishte me të vërtetë një ndjenjë e cuditshe , që të bën të ndjesh vetminë me Zotin, dhe përballjen me njëshmërinë e Tij. Ajo ndjenja e vetmisë, e frikës e pakuptimt në mes të natyrës, proklamonte mbikqyrjen, dhe përkujdesjen e një fuqie mbinatyrore. Si pasojë e kësaj them se mu për këtë shkak edhe pejgamberi i fundit u shpall mu në mes të arabëve, e jo në mesin e ndonjë populli tjetër. 5

Sic shkruhet në histori, arabët ishin popull analfabet edhe pse në mesin e tyre rrallë kishte ndonjë i cili dinte shkrim-lexim.
Për analfabetizmin e tyre flet Kur'ani:


"Ai është që arabëve të pashkolluar u dërgoi Pejgamberin nga mesi i tyre që t'ju lexojë ajetet e Tij , ti pastrojë ata, t'ua mësojë librin dhe sheriatin, edhe pse më pare ata ishin në humbje të dukshme" (62:2)


Sipas disa të dhënave thuhet se kurejshët shkrimin e kanë marrë nga Harb bin umeje Abdu Shems, e ky e ka mësuar nga Abdullah bin Xhedan, këtij shkrimin ja mësuan banorët e Enbarit, këto e morrën nga disa të panjohur nga Jemeni dhe Kindja, ndërsa këto të parët e mësuan nga El- Halxhan bin El- Muvehem i cili i shte shkrues i Hudit a.s. Edhe në mesin e Medinasve kishte ithtar të librit nga cifutët të cilët pas emigrimit të Muhammedit në Medine ua mësonin fëmijëve të tyre shkrimin. Në mesin e tyre ishin këto persona: El- Mundhir bin Amr, Ubej bin Vehbe, Amër bin Seid, Zejd bin Thabiti cili e mësoi shkrimin cifut me urdhër të Pejgamberit alejhi-selam.Disa nga dijetarët pohojnë se Pejgmaberi alejhi-selam nuk dinte të shkruaj në fillim të shpalljes, mirëpo u mësua në fund të jetës së tij. Dmth analfabetizmi i tij ishte gjendje e përkohshme, që shërbente si argument për profetësinë e tij. Në Kur'an thuhet:


"Ti ( Muhammed ) nuk ishe që lexoje ndonjë libër para këtij, e as që shkruajshe atë me dorën të djathtë, pse atëherë do të dyshonin ata të prishurit." (29:48)


Trnasmeton ibën Ebi Shejbe, dhe thotë:


" Nuk ndrroi jetë Pejgamberi a.s derisa e mësoi leximin dhe shkrimin "


Poashtu Ibni Maxhe transmeton nga Enesi se Pejgamberi alejhi-selam ka thënë:


"Kam parë natën e Israsë shkruar në derën e Xhennetit: Lëmosha ka dhjetë shpërblime, ndërsa huaja ka tetëmbëdhjetë"Këtu fjala "kam parë" dhe "shkruar" argumentojnë se Pejgamberi ka mundur të lexoj




Ez-Zerkani në lidhje me këtë që u tha pohon: " Nëse hedhim një vështrim në mes dy grupeve dhe i shohim argumentet e të dy palëve do të shifshim se argumentet që flasin se Pejgamberi nuk ka ditë as të shkruar as të lexoj janë argumente të sigurta, ndërsa argumentet që flasin se Pejgmaberi ka ditë të shkruaj dha lexoj janë të izoluara, dhe mospërputhshmëria mes dy palëve është e qartë, mirë, mirëpo argumentet e të dy palëve janë të logjikshme. Duke i marrë parasyshë argumentet që argumentojnë se Ai nuk ka ditur të shkruaj dhe të lexoj, e që kjo ishte në gjendjen fillestare, ndërsa argumentet që flasin se Pejgamberi dinte të shkruaj dhe lexoj, është gjendje e mëvonshme. (6)




Nevoja e njerëzve për Pejgamber.


Njeriu, krijesa më e përsosur me logjikë të shëndoshë është i përbër prej dy elementeve, materiales dhe asaj shpirtërores, dhe secili nga këto elemente tërhek ka esenca e vet. Ndodh që ti jepet përparsi materiales dhe kështu vin deri te devijimi, mendja e njeriut nuk është e aftë të mbajë një barazpeshë mes këtyre dy elementeve, andaj I duhet një udhëzim hyjnorë. (7)


Koha pas Isait a.s deri te Muhammedi ka afër 500 vite, gjatë kësaj kohe njerëzit nuk kanë qenë të xhveshur nga ndjenja fetare, mirëpo atë ndjenjë e kanë manifestuar gabim. Filluan të adhurojnë lëndë të ndryshme dhe ta paramendojnë Zotin në forma të ndryshme, andaj ishte e nevojshëm udhëzimi hyjnorë nëpërmjet njeriut të zgjedhur nga ana e All-llahut. Dërgimi I Pejgamberëve paraqet nevojë të domosdoshme, sepse ata nëpërmes fjalës hyjnore vendosin ligje të mënyrës së jetës së njeriut në shoqëri dhe më gjërë duke e mësuar atë të jetë I drejtë, I dashur, I mire, human, I mëshirshëm, I sinqertë, aktiv etj. Përshkak se vetëm me këto principe dhe vlera mund të paramendohet bashkësia, në të cilën mund të arrihet lumturia në këtë dhe në botën tjetër: "Ne dërguam në cdo popull të dërguar që t'u thotë: " Adhuroni vetëm All-llahun e largonu djajve" (En-Nahl / 35)


E njejta gjendje ishte edhe në hixhaz, jeta shoqërore ishte pa ndonjë system të kompletuar, bëheshin ngatërresa, gjakderdhje, dhe devijimi në besim deformoi shoqërinë dhe moralin e arabëve. Në këtë periudhë nuk përfilleshin normat hyjnore por ndjekja e emocioneve njerzore shtazarake, që conte drejt zhdukjes së njeriut perms rrënies morale.

Reth nevojës së njeriut për Pejgamber Ibn Kajjimi shprehet: " Nuk ka rrugë tjetër për arritjen e lumturisë dhe shpëtimit në këtë botë dhe në botën tjetër përvecse permes Pejgamberëve. Nuk mund ta njohim të mirën dhe të keqen detajisht përvecse perms tyre. Nuk arrihet kënaqësia e Allhut ndryshe pos perms ndjekjes së tyre. Fjalët, veprat dhe vyrtitet e mira janë rrugë e tyre dhe atë që sollën ata janë peshoja matëse në fjalët dhe vyrtitet e të cilëve maten vyrtitet dhe veprat, me ndjekjen e tyre dallohen të humburit, nevoja për ta është më e madhe se nevoja e trupit për shpirtin, syrit për dritë, dhe shpirtit për jetë, cfardo domosdoshmërie dhe nevoje të na imponohet, përsëri nevoja e njeriut për Pejgamberët është shumë më e madhe. E c'mendon për atë, udhëzimi dhe ajo që solli sikur të mungojnë prej teje një cast, ndyhet zemra jote dhe bëhet sikur kur nxirret prej uji e vehet në vaj. Për atë, gjendja e njeriut kur zemra e tij distancohet nga ajo me të cilën erdhën Pejgamberët është si kjo, bile edhe më keq, por këtë nuk e ndjek kush pos zemrës së gjallë. Andaj, pasi lumturia e njeriut në të dy botërat është e lidhur me udhëzimin e Pejgamberit alejhi-selam, cdo njeri i cili e këshillon veten dhe dëshiron shpëtimin e lumturinë e saj, e ka të patjetërsueshme të njohë prej rrugës, biografisë, dhe veprimtarisë së tij, atë me të cilën do të dalë prej grupit të injorantëve dhe do të hyjë në grupin e pasuesve, admiruesve dhe pales së tij. " (8) Në këtë gjendje lindi Muhamedi, Pejgamberi i fundit.



Ndrroi jetë si analfabet duke thirrë në shkrim-lexim.




Shumë pjestarë të feve tjera, si krishter, hebrej, por edhe musliman të përbetuar parashtrojnë pyetjen: '' Ju muslimanët pohoni se pejgamberi juaj Muhammedi gjatë 23 viteve predikoi Kur'anin tek njerëzit, duke ua shpjeguar atyre se ky libër është udhërëfyes për të gjithë, madje edhe për vetë Muhammedin si pejgamber, ju poashtu pohoni se ai dallon nga Buda ose Konfuçio që kanë përpilu urdhëra, i kanë obligu njerëzit ti zbatojnë ato urdhëra ndërsa vet kanë qenë të paprekshëm, kurse Muhammedi ka pranu urdhëra nga Zoti, së pari vetë i ka praktiku pastaj i ka urdheru tjerët për zbatim. Ai gjatë 23 viteve urdhëroi njerzinë në shkrim-lexim ndërsa vet ndërroi jetë si analfabet, mirë, kjo a nuk bie ndesh me ajetin Kur'anor:


"Po i urdhëroni tjerët, e veten tuaj po e harroni?? (Bekare 44 )



Domethënia e fjalës " Analfabet "


Para 1400 vitesh kur nuk ka qenë e zhvilluar teknologjia analfabet ka nënkuptuar personin i cili nuk ka ditur vetëm shkrim-lexim, ndërsa në këtë shekullë, ku teknologjia ka arritur kulminacionin, analfabet mund ta quajmë personin që gjatë jetës së tij si ka të lexuara së paku 50 libra, ose personi që nuk di të përdor PC (kompjutor) lirisht mund ta quajmë analfabet.


Njerëzit që kanë jetuar në kohën e Pejgamberit s.a.v.s e kanë parë fisnikërinë e thirrjes dhe shpirtëgjerësinë e shpalljes si argument dhe mrekulli kreative të Zotit, dhe kanë pranuar fenë islame. Mirëpo shumë të tjerë shprehen:


" Unë nuk e mohoj bukurinë e filozofisë së tij, të moralit të lartë praktik, unë jam i gatshëm të pranoj se Muhammedi ka qenë njeri i sinqertë, dhe se ka dhënë shumë norma dhe rregulla të bukura për të mirën e njeriut, por ajo që s'mund ta pranoj është ajo se ju muslimanët deklaroni për autoritet mbinatyrorë të urdhërave të tij " . (9)




Me fjalë të tjera, kundërshtari thotë se nuk mund ta beson se Kur'anin e ka shpallë një fuqi mbinatyrore dmth Zoti, por beson se vet Muhammedi e ka shkruar, përpiluar dhe falsifikuar Kur'anin. Këtu mund të kuptohet urtësia e asaj pse Muhammedi ndërroi jetë si analfabet.




Kur'ani ju drejtohet këtyre trillimeve :" Nuk është e logjikshme të mendohet se ky Kur'an është I trilluar prej dikujt pos Allahut, por është vërtetues I asaj ( shpalljes ) që ishte më pare, dhe sqarues e komentues I librit. Nuk ka farë dyshimi se është I ( zbritur ) nga Zoti I botëve.


Përkundër kësaj ata ( idhujtarët ) thonë se atë e trilloi ai ( Muhammedi ). Ti thuaj: "Sillne pra ju një kaptinë të ngjajshme me këtë, madje thirrni kë të doni në ndihmë, pos Allahut, po qe se jeni të drejtë në atë që thoni ". Por ja, ata përgënjeshtruan atë ( Kur'anin ) pa e kuptuar dhe pa ju ardhur shpjegimi I tij. Po kështu gënjenin edhe ata që ishin më përpara. Shiko si Ishte përfundimi I zullumqarëve. (Junus: 37/40)




Nuk ndodh në ndonjë vepër që vetë autori të kërcënon veten: "Sikur të trillonte ai ( Muhammedi ) për Ne ndonjë fjalë! Ne do ta kapim atë me fuqinë Tonë. E pastaj do t'ia këputnim atij arterien e zemrës." (Hakka: 44/46)




Vetë Kur'ani e pohon origjinën e tij hyjnore:


"Është e vërtetë se Allahu u dha dhuratë të madhe besimtarëve, kur ndër ta nga mesi I tyre dërgoi të dërguar që atyre t'u lexojë shpalljen e Tij, t'I pastrojë ata t'ua mësoj Kur'anin dhe sheriatin, edhe pse më pare ata ishin krejtësisht të humbur" (Ali-imran: 164)"


A nuk e përfillin ata me vëmendje Kur'anin? Sikur të ishte prej dikujt tjetër, përvec prej Allahut do të gjenin në të shumë kundërthënie" ( Nisa: 82 )




Pikërishtë këto ajete Kur'anore e përkrahin titullin e lartëpërmendur, se Kur'ani është vepër jashtë kompetencave njerëzore. Në ajetet e lartë cituara përmenden fjalët: "Ne", "Thuaj, Ne të shpallëm ty" "Ne të rrëfejmë ty" shprehje që vërteton për mosndërhyrjen e dorës njerëzore në librin e shejntë, këto shprehje janë faktet se Kur'ani është fjalë e drejtëpërdrejtë e Zotit.Në Kur'an përsëritet 322 herë folja ( Në mënyrën urdhërore ) kul-thuaj. Po të kishte qenë autori njeri do të përdorej folja kale-ka thënë, ose jekulu- thoshte. (10)

Sikur ta kishte shkruar Kur'anin Muhammedi ose bashkëkohësit e tij, nuk do të ishte përdorur folja në mëyrën urdhërore. Asnjëherë nuk ka ndodhur që autori në librin e tij ta urdhëroj vetveten për dicka, të kritikoj veten Brenda në libër, apo së fundi të mohoj mundin e tij nëqoftë se është duke shkruar ndonjë vepër. Gjatë gjithë atyre viteve të shpalljes nuk u ndëgjua nga goja e Muhammedit se ai është përpilues i Librit të shenjt, por ai thoshte:


"Unë jam vetëm një njeri, sikurse edhe ju, mua më shpallet se Zoti juaj është vetëm Zoti një" (Fussilet / 6)


Ajetin që do e përmendim me rradhë është përforcues i ajetit të sipërpërmendur, kështu ajet pas ajeti, duke u vërtetuar, ose duke u plotësuar mes veti vin duke u përsosur kuptimi i tërë Kur'anit.


All'llahu i drejtohet Muhammedin salallahu alejhi we sel'lem:


"Ti nuk e ke lexuar asnjë Libër para këtij, as që e ke shkruar me dorën tënde të djathtë, sepse do të dyshonin ata që flasin gënjeshtra" (29/48)




Po të kishte qenë Muhammedi njeri I mësuar, sikur të kishte ditur të lexoj e të shkruaj, atëherë llomotitësit t rrugëve mund të kishin ndoinjë arsye të dyshojnë në konstatimin e tij Kur'ani është fjalë e Zotit. Sikur të kishte qenë I arsimuar e të dinte të shkruaj, atëherë dyshimet e armiqëve të tij se ai ndoshta e ka përshkruar librine vet ( Kur'anin ) prej Hebrenjve dhe Krishterëve, ose ndoshta e ka studijuar Aristotelin dhe Platonin, dhe se patjetër do ta kishte shfrytëzuar Tevratin, Zeburin dhe Inxhilin, dhe se ato të tëra I ka përzyernë një gjuhë të bukur, ndoshta do të kishin pasur ndonjë vlerë. (11)


Mirëpo: "Të ishte ai ( Kur'ani ) prej tjetërkujt e jo prej All'llahut, mesiguri në të do të gjenin shumë kundërthënie" (4/82)


Dhe: "Kështu, ata e përgënjeshtruan të Vërtetën kur u erdhi." (En'am/5)


E thane: "Kjo padyshim është magji!" Dhe, edhe pse bindshëm të besueshëm në to ( se ishin nga Zoti ) i mohuan padrejtësisht dhe me mendjemadhësi." (Nahl: 13/14)




Këto përgjigje nga Kur'ani Famëlartë na nxisin të mendojmë se nuk kanë ndërgjegje të kulluar, nuk kanë veshë e nuk kanë sy këta njerëz siduket janë objekti ku gjenë shprehje ajeti Kur'anor: "Zoti i vulosi zemrat e veshët e tyre edhe në sy kanë perde e nuk shikojnë" (2/7)




Michael Hart i cili konsiderohet astronom, historian dhe matematikan amerikan, botoi librin 572 faqe me titullin "100 njerëzit më të mëdhej në histori" pasi studioi njerëzit prej Ademit e deri sot ai zgjodhi 100 më autoritativët. Ai e vë Muhammedin në rend të parë, ndërsa Zotin e vet personal, shpëtimatrin, Jezu Krishtin e vë në rend të tretë.


A është shkruar gjer më sot vallë një libër i cili t'i përshtatet njeriut të cdo shtrese, moshe, e niveli, qoftë ai me shkollë, universitarë, mendimtarë, njeri i thjeshtë, fizikant, kimist apo coban, dhe nga i cili të kuptojë e të përfitojë kushdo? Kur'ani është libri I vetëm që shfaqet në cdo vend, që shpërndanë dritë si dielli, të cilin e lexojnë duke përfituar prej tij dhe te i cili gjejnë parime e zgjidhje pë rrugën, dhe profesionin, shërim për hallet dhe shkëlqim për idetë e një poeti, oratori, sociologu, ekonomisti, juristi, administratori, politikani, edukatori, nxënësi, lutësi etj..




Ndoshta nuk ka libër tjetër vec Kur'anit që mund të lexohet disa her pa u mërzitur, kurse Kur'ani lexohet me herë të tëra, plotësohet vazhdimisht, këndohet në namaze dhe me pretekse të ndryshme pa shkaktuar kurr ngopje, lodhje dhe mërzitje. Sa e sa vepra të zgjedhura, shkrime ideore dhe poezi e humbin origjinalitetin dhe vlerën, ato e humbin edhe vlefshmërinë. Kurse Kur'ani jo vetëm që nuk zbehet e vjetrohet as si fjalë, as si lexim, as si përmbajtje e kuptim, as si origjinalitet e aktualitet dhe as si drejtësi, e vlefshmëri, për cdo dit që kalon, shpirtrave dhe ndërgjegjeve, mendjeve dhe zemrave u jep frymëzime të reja, u ofron ide dhe njohuri të niveleve më të përparuar. (12)




Se Kur'ani është vepër mbynatyrore shprehet edhe Mustafa islamoglu në librin e tij " Këshilla drejt shoqërisë vyrtitshme " ku thotë:


"Mos ia përshkruani Kur'anit mendimet dhe qëndrimet e juaja subjektive. Mos e ndyni burimin e kthjelltë të Kur'anit me mbetjet mendore që janë pjellë e adulterit kolektiv të kulturave""Vendoseni shpalljen hyjnore në boshtin e jetës suaj. Jeta pa Kur'an është jetë pa Zot. Ai që dëshiron të njihet me Zotin dhe me vetveten, le të këndojë Kur'an. Leximi duhet të sjell me vete edhe kuptimin dhe përjetimin. Ai që dëshiron të njihet me të Dërguarin e Perendisë, le të lexojë Kur'an. Le të lexojë Kur'an edhe ai që dëshiron të mësojë se si duhet të jenë raportet mes Krijuesit dhe krijesës, që dëshiron ta shohë në personalitetin e vet në mardhëniet mes All-llahut dhe Muhammedit alejhis-selam. (13)




Këto ishin disa nga argumentet që Kur'ani është fjalë e Allahut xh.sh jo vepër e Muhammedit alejhi-selam. ... E për ata që edhe pas përgjigjes vazhdojnë të jenë skeptik ju themi:




"Robërit e Zotit janë ata që ecin nëpër tokë të qetë, e kur atyre me fjalë u drejtohen injorantët, ata thonë: "Paqe!" (el-Furkan, 63)




Ky është Pejgamberi ynë s.a.v.s, Analfabet, hafidh i kur'anit, amvis i mrekullueshëm, themelues i kushtetutës parë, luftëtarë strategjik, triumfues.

________________
1- Revista : "Drita e Kur'anit" f.8 2- Ajni Sinani: " Kur'ani fisnik margaritari i librave hyjnorë " revista: alb-drejtesia nr-2 f. 3


3- Bashkim Aliu: " Muhammedi alejhi-selam, pishtari ndricues " f-19-23


Sahihul Buhari 17


4- Ajni Sinani: " Të tjerët për Islamin " 2006 fq- 110


5- Muhammed Asad: " Speaks on Bedouins & The Desert video recorded in Spain 1988 http://www.youtube.com/watch?v=mtcbukncXvA&feature=related


6-Tefsir: "Ortografia drejtëshkrimi I Kur'anit " fq.122


7- Akaid


8- Bashkim Aliu: " Muhammedi alejhi-selam pishtari ndricues " 1999 fq: 67


9- Ahmed Deedat: " Kur'ani mrekullia më e përsosur. Shkup 1986. fq:16


10- Avni Avdiu "Jeta mes udhëkryqit dhe Rrugëdaljes " Kumanovë 1994. fq: 22


11- Deedat: " Kur'ani mrekullia më e përsosur. Shkup.1986. fq: 13


12- Senad Maku: Kur'ani vepër e Muhammedit apo fjalë e Allahut xh.xh Hëna e re nr 206. fq: 41


13- Mustafa Islamoglu " Këshilla drejt shoqërisë së virtytshme " Shkup. 2009 fq: 13.26.